Shtypi

Gjatë sundimit gjysmëshekullor komunist të Shqipërisë, nga viti 1945 deri më 1991, shtypi ishte rreptësisht i kontrolluar nga partia në pushtet dhe sindikatat e lidhura me të. Në këtë periudhë, publikoheshin 8 gazeta kombëtare dhe 27 rajonale. Publikimet kryesore ishin gazetat e përditshme "Zëri i Popullit" dhe "Bashkimi", të cilat publikoheshin gjashtë ditë në javë. "Zëri i Popullit" ishte gazeta zyrtare e Partisë së Punës së Shqipërisë, ndërsa "Bashkimi" ishte publikimi zyrtar i Bashkimeve Profesionale (Sindikatat). Shumica e këtyre publikimeve dolën nga qarkullimi me kolapsin e regjimit me komunist në vitin 1991, kur kufizimet në lirinë e shprehjes u hoqën dhe strukturat e pushtetit që mbështesnin kufizimet u rrëzuan. Gazeta e parë që u krijua pas ardhjes në pushtet të qeverisë pluraliste ishte "Rilindja Demokratike", me numrin e parë të botuar më 5 janar 1991, si gazeta zyrtare e të sapokrijuarës Parti Demokratike në opozitë. Gazeta e parë e pavarur "Koha Jonë" pasoi shpejt, më 11 maj 1991, themeluar nga një gazetar, Nikollë Lesi.

Numri i shtypit të shkruar në vend arriti kulmin në mesin e viteve 2000, kur raporte të ndryshme e vlerësuan numrin e gazetave në më shumë se 200. Që atëherë, për shkak të valës së digjitalizimit të konsumit të lajmeve ka pasur një rënie si në numrin e botimeve ashtu edhe në atë të lexuesve. Shpërthimi i pandemisë së COVID-19 në vitin 2020, ishte thuajse një goditje dekapituese për tregun e shtypit të shkruar në Shqipëri dhe shumë gazeta u mbyllën. Aktualisht në treg ka tetë gazeta ditore, duke përfshirë një gazetë sportive, një revistë javore biznesi dhe një numër revistash mujore. Nuk ka të dhëna zyrtare për tirazhin dhe lexuesin e shtypit të shkruar, por sipas disa raporteve gazetat më të shitura të vendit nuk kanë një tirazh më të madh se 5,000 kopje në ditë, ndërsa shumica e gazetave shesin më pak se 1,000 kopje. Ka disa agjenci të shpërndarjes së shtypit, por dy janë ato kryesoret. Njëra prej tyre i përket kompanisë shtetërore të postës “Posta Shqiptare”, ndërsa tjetra e Focus Group, botuese e gazetave të përditshme Panorama, Panorama Sport dhe Gazeta Shqiptare.

Sipas një sondazhi të konsumit të medias të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në korrik 2023, shtypi i shkruar përdorej si burim informacioni çdo ditë ose pothuajse çdo ditë nga 4% e popullsisë dhe të paktën një herë në javë nga 7%. Nuk ka të dhëna publike për lexuesit e gazetave në Shqipëri. Kampioni i gazetave të përzgjedhura si pjesë e këtij studimi përfshin të shtatë gazetat e përditshme që botojnë lajme dhe revistën javore të biznesit “Monitor”.

Databaza e Gazetave
  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union
  • Funded by
    BMZ