Databaza e Kompanive
Shumica e kompanive të medias në Shqipëri, me përjashtim të transmetuesit publik RTSH, janë sipërmarrje private. Të gjitha kompanitë, me përjashtim të kompanisë mëmë “3 DS & AF Entertainment shpk”, e cila ka në pronësi Syri TV, Syri.net dhe Syri FM, janë të regjistruara si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara (Sh.p.k) ose si shoqëri aksionere (sh.a) dhe janë me bazë në Shqipëri. “3 DS & AF Entertainment shpk” është në pronësi të organizatës jofitimprurëse “Qendra për Informim të Hapur” dhe drejtohet nga gazetari Çlirim Peka. Një gazetë - e përditshmja “Tema”, është e regjistruar si pronësi e vetme e pronarit të saj Mero Baze. Disa media janë bashkuar në grupime mediash, përfshirë Top Media, Klan Group, Focus Media Group, Panorama Group, Focus Group, Union Group ose Media Vizion. Këto grupe nuk janë gjithmonë subjekte të regjistruara ligjërisht dhe kanë një qëllim brandimi me synim për të identifikuar një grup kompanish që janë të lidhura me një pronar mediaje apo familje mediash. Grupi më i madh i medias së shkruar kontrollohet nga biznesmeni Irfan Hysenbelliu, i cili boton të përditshmet Panorama dhe Gazeta Shqiptare, të përditshmen sportive Panorama Sport dhe revistën mujore Psikologjia. Grupi më i madh i transmetimit është Klan Group, i cili zotëron stacionet televizive kombëtare TV Klan, Klan Plus dhe Radio Klan dhe ka interesa të mëdha të lidhura në transmetimet digjitale dhe prodhimin mediatik. Pronari më i madh i medias audiovizive është familja Hoxha, e kontrolluar nga gruaja dhe fëmijët e themeluesit të ndjerë Dritan Hoxha, e cila kontrollon Top Channel, Top Albania Radio dhe distributorin digjital DigitAlb - kompania më e madhe mediatike në Shqipëri sipas të ardhurave në vitin 2022.