Politika

Republika e Shqipërisë është një demokraci parlamentare, ku shumica e fuqive ekzekutive i përkasin zyrës së kryeministrit dhe qeverisë, e cila zgjidhet nga parlamenti. Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 anëtarë të zgjedhur me një mandat katërvjeçar përmes një sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura. Presidenti i Republikës është kreu i shtetit dhe përfaqëson, sipas Kushtetutës, “unitetin e popullit”. Ai zgjidhet nga parlamenti për një mandat pesëvjeçar. Kandidati duhet të jetë shtetas shqiptar dhe së paku 40 vjeç dhe duhet të ketë banuar në vend përgjatë dhjetë viteve të fundit. Megjithëse presidenti konsiderohet Kreu i Shtetit, ky post mbart pak pushtet ekzekutiv dhe konsiderohet më së shumti ceremonial.

Presidenti aktual i Shqipërisë, Bajram Begaj u zgjodh president në qershor të vitit 2022. Ai u zgjodh në raundin e katërt me 78 vota pro, 4 kundër dhe një abstenim në asamblenë prej 140 vendesh. Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare 55-vjeçar është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, është veteran 31-vjeçar i ushtrisë dhe profesor i asociuar i mjekësisë. Ai zëvendësoi Ilir Metën si president, një politikan karriere, i cili që atëherë i është rikthyer politikës aktive si kreu i Partisë së Lirisë në opozitë.

Nga viti 1945 deri në 1991, nën regjimin komunist të ish-diktatorit Enver Hoxha, Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara përtej Perdes së Hekurt, e krahasueshme vetëm me Korenë e Veriut të sotme. Pas Luftës së Dytë Botërore, Hoxha e afroi veten me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e Paktit të Varshavës. Megjithatë, ai u shkëput nga blloku pas politikave të de-Stalinizimit të Nikita Khrushchev, të cilat Hoxha i perceptoi si të kundërta me doktrinën Marksiste dhe një kërcënim për pushtetin e tij. Në vitet 1960, Hoxha u afrua me Kinën, e cila me ndihmat e saj zëvendësoi ndihmën ekonomike sovjetike dhe ofroi kredi që mbështetën regjimin shqiptar. Megjithatë, edhe marrëdhëniet me Kinën u prishën pas vizitës në Pekin në vitin 1972 nga ish-presidenti i SHBA-së Richard Nixon, vdekjes së kryetarit Mao Zedong në 1976 dhe politikës së jashtme pragmatike të lidershipit të ri kinez. Pas ndarjes me Kinën, Shqipëria mbeti pa bamirës të jashtëm dhe kushtet ekonomike në vend u përkeqësuan, duke sjellë mungesa kronike të ushqimeve bazë. Hoxha mbajti një kult të fortë personaliteti, të ndërtuar në luftën e klasave dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Në 1976 ai e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë dhe ndaloi ushtrimin e fesë. Pas vdekjes së Hoxhës në 1985, ai u zëvendësua nga trashëgimtari i tij politik Ramiz Alia. Pavarësisht disa reformave të ndërmarra nga Alia, sundimi i tij u trondit pas revolucioneve anti-komuniste në Evropën Lindore, veçanërisht pas ekzekutimit të Nicolae Causescu-t në 1989 në Rumani. Një vit më pas, në dhjetor 1990, pas protestave nga studentët e Universitetit të Tiranës, partia lejoi krijimin e partive të tjera duke hequr dorë nga kontrolli absolut i pushtetit.

Pas gati gjysmë shekulli sundimi komunist të stilit stalinist, Shqipëria mbajti zgjedhjet e para shumëpartiake në 1991. Një vit më vonë, më 22 mars 1992, Partia e Punës e Shqipërisë humbi pushtetin dhe vendi filloi një tranzicion të trazuar drejt demokracisë. Pas rënies së një sërë skemash piramidale investimi në 1997, ku një pjesë e madhe e popullsisë humbi kursimet, pasoi një periudhë anarkie dhe vetëm përmes ndihmës së forcave paqeruajtëse të OKB-së të udhëhequra nga Italia, njohur si operacioni Alba, u rikthye rendi dhe ligji. Në 1999, vendi priti gati gjysmë milioni shqiptarë etnikë nga Kosova, të cilët po i shpëtonin përndjekjes etnike nga ana e ish-diktatorit të Serbisë Sllobodan Millosheviç.

Përgjatë dy dekadave të fundit që nga rënia e komunizmit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë dominuar jetën politike. Partia e Lirisë (më parë e quajtur Lëvizja Socialiste për Integrim) e ish-presidentit Ilir Meta ka qenë një partner i vogël qeveritar nga viti 2019 deri në 2017, duke mbajtur rolin e kingmaker-it (aleat përcaktues i maxhorancës). Partia Socialiste në pushtet e kryeministrit Edi Rama është në pushtet që nga viti 2013, pasi u rikonfirmua në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe 2021. Pavarësisht suksesit në votime, që shpesh shoqërohet me makinerinë politike të vajosur mirë, mandati i Ramës si kryeministër është shoqëruar me skandale korrupsioni dhe akuza për lidhje mes zyrtarëve të qeverisë dhe krimit të organizuar.

Pavarësisht progresit të konsiderueshëm ekonomik dhe shoqëror, tranzicioni nga sundimi autokratik dhe demokracia është penguar nga përplasjet politike, mungesa e dialogut ndërpartiak dhe korrupsionit të gjithëpërhapur në nivelet më të larta të pushtetit. Proceset elektorale kanë qenë gjithashtu problematike dhe të kontestuara, të mbushura me akuza për ndikime të parregullta politike, akuza për blerje votash dhe se nuk kanë plotësuar ende standardet e njohura ndërkombëtarisht. Në 2008, Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-s. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi i vendit kandidat në BE në qershor 2014. BE-ja mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022.

Shqipëria ndërtoi një skenë të gjallë mediatike pas rënies së komunizmit, me dhjetëra stacione televizive dhe gazeta; megjithatë, këto media shpesh mbajnë një linjë editoriale që i shkon për shtat interesave ekonomike dhe politike të pronarëve, gjë që shtyn shumë gazetarë drejt vetë-censurës. Megjithëse Kushtetuta dhe kuadri ligjor i Shqipërisë garantojnë lirinë e shprehjes, interesat e forta politike, të biznesit dhe mediatike pengojnë zhvillimin e organeve të pavarura dhe shumica e mediave në treg perceptohen si favorizuese të Partisë Socialiste ose opozitës në pushtet. Një mision faktmbledhës në nëntor 2022, nga organizatat partnere të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve e Këshillit të Evropës, zbuloi se klima për raportim të lirë dhe të pavarur në Shqipëri po përkeqësohej për shkak të sulmeve ndaj gazetarëve, retorikës diskredituese nga politikanët, qasjeve të kufizuara në informacion dhe kapjes së pjesëve të rëndësishme të mjedisit mediatik nga interesat e biznesit.

Autoriteti i Mediave Audiovizive i Shqipërisë nuk perceptohet as si profesionist dhe as i pavarur nga ndërhyrjet politike. Sipas Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës, përbërja e AMA-s, e cila përbëhet nga të emëruar politikë, ngre pikëpyetje për pavarësinë e saj politike, ndërsa autoritetet që mbikëqyrin median duhet të jenë të paanshme dhe të pavarura. Komisioni ka vënë në dukje se ka pikëpyetje jo vetëm për pavarësinë e AMA-s nga ndërhyrjet politike, por edhe nga industria e madhe mediatike dhe kontrollet e tjera të korporatave. Emërimi si kryetare e AMA-s e ish-zëdhënëses së Partisë Socialiste në pushtet ka shtuar shqetësimet mes organizatave vendase dhe ndërkombëtare për ndërhyrje të mundshme politike në rregullator. Këto shqetësime u shtuan edhe pas emërimit të një ish-deputeti të Partisë Socialiste në krye të Medias së Shërbimit Publik.

Aktorët politikë në Shqipëri, përfshirë kryeministrin Edi Rama, shpesh diskreditojnë dhe denigrojnë gazetarët dhe mediat. Edi Rama ka vendosur ndalime të njëanshme nga konferencat për shtyp ndaj disa gazetarëve për pyetje sfiduese, ndërsa kreu i opozitës, Sali Berisha, i ka lidhur disa media me miliarderin hebre George Soros, të cilin e akuzon se qëndron pas sanksionimit të tij nga Shtetet e Bashkuara si person “non grata”. Partitë e vogla politike kanë qasje të kufizuar në mediat elektronike, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Të dhënat nga monitorimi i mediave tregojnë se gjatë fushatës së fundit elektorale të zgjedhjeve vendore, rrjetet televizive u dhanë pak kohë transmetimi partive më të vogla dhe kështu shkelën kërkesat ligjore për raportim të balancuar.

Burimet

Kushtetuta e Shqipërisë U aksesua më 19.08.2023
BalkanInsight.com, Albania’s Rama Bets on Military Man for ‘Normal’ President [Rama i Shqipërisë vë bast për një ushtarak për president ‘normal’], (2022). U aksesua më 19.08.2023
, European Commision, EU Enlargement Policy [Komisioni Evropian, Politika e zgjerimit e BE]. U aksesua më 19.08.2023
Operacioni Alba (Lindja e Diellit) U aksesua më 19.08.2023
Menaxhimi i krizës së refugjatëve në Shqipëri gjatë konfliktit të Kosovës 1999, NCBI, (2002) U aksesua më 19.08.2023
Historia e marrëdhënieve NATO-Shqipëri, Ministria shqiptare e Mbrojtjes U aksesua më 19.08.2023
Freedom House, Freedom in the World 2023, Albania [Liria në botë 2023, Shqipëria], (2023). U aksesua më 19.08.2023
Reporter.al, Pesë organizata dënojnë zgjedhjen e Krasniqit në krye të AMA, (2021). U aksesua më 19.08.2023
Venice Commission of the Council of Europe, Opinion on draft amendments to Law N°97/2013 “On the Audiovisual Media Service’ [ Opinion për projekt-amendamentet e ligjit nr.97/2013 “Për shërbimin mediatik audioviziv”.], (2020). U aksesua më 19.08.2023
European Centre for Press and Media Freedom, “Albania: Media pluralism and transparency concerns fuel deterioration in media freedom” [Shqipëria: Pluralizmi dhe transparenca e medias shqetëson përkeqësimin e lirisë së medias], (2022). U aksesua më 19.08.2023
BalkanInsight.com, Albanian TV Election Coverage Unfairly Favoured Big Parties, Monitoring Shows [Mbulimi i zgjedhjeve në TV shqiptare favorizoi në mënyrë të padrejtë partitë e ëdha], (2023). U aksesua më 19.08.2023

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union
  • Funded by
    BMZ