Top Channel

Televizioni kombëtar Top Channel i nisi transmetimet në dhjetor 2001 nën drejtimin e Dritan Hoxhës, i cili ishte në atë kohë administrator dhe ortak i vetëm i kompanisë “Top Channel” sh.p.k. Prej themelimit, televizioni mblodhi rreth vetes një staf të talentuar gazetarësh, që bashkë me teknologjinë e avancuar arritën ta kthenin atë brenda një kohe të shkurtër në ekranin kryesor të vendit. Në vitin 2003, Top Channel arriti të mbulonte me sinjal të gjithë territorin shqiptar, ndërsa në fund të vitit 2004 transmetonte edhe në Europë përmes platformës DigitAlb, e themeluar gjithashtu nga Hoxha. Që në vitet e para të operimit, Top Channel eksperimentoi në Shqipëri programe të patentave ndërkombëtare, të tilla si “Big Brother” apo “The Voice”. Ndërsa varieteja e humorit “Portokalli” apo emisioni satirik investigativ “Fiks Fare” fituan edhe më tej popullaritet, duke u përhapur më pas në forma të ngjashme edhe në stacionet konkurrente.

Në vitin 2007, Top Channel ishte televizioni më i rëndësishëm në vend, por themeluesi i tij vendosi të zgjeronte bazën e aksionerëve dhe të shiste 60% të aksioneve. Dokumentet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se Dritan Hoxha i shiti 40% të aksioneve Albert Sinos dhe 20% të tjera Aurel Baçit për një çmim total prej 315.2 milionë lekësh [2.6 milionë USD]. Marrëveshja e shitjes së aksioneve në 2007 u kthye në një konflikt gjyqësor disa vite pas vdekjes aksidentale të Dritan Hoxhës, pasi bashkëshortja e tij, Vjollca Hoxha, pretendoi në gjykatë se kontrata e shitjes kishte qenë fiktive dhe ishte nënshkruar në mungesë të miratimit të saj. Saga gjyqësore u mbyll në janar 2023 në Gjykatën e Lartë me njohjen e anëtarëve të familjes Hoxha si pronarë të vetëm të televizionit Top Channel.

Me një histori 22-vjeçare në tregun mediatik shqiptar dhe përplasjet e hershme publike të themeluesit të saj, Dritan Hoxha, me ish-kryeministrin Sali Berisha, Top Channel krijoi perceptimin e një televizioni të afërt me kryeministrin aktual, Edi Rama. Megjithatë, marrëdhëniet e Ramës me Top Channel kanë pasur edhe ulje-ngritje. Përmes një serie mesazhesh të postuara në Twitter në nëntor të vitit 2022, Rama e akuzoi Top Channel se po kërkonte “favore ilegale“ ndaj qeverisë së tij. Kryeministri publikoi gjithashtu një dokument ku dukej se Top Channel i propozonte Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, 50 emisione promovuese në këmbim të një pagese prej 12 milionë lekësh.“Ja, për shembull, se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120 mln lek nga AZHBR për t'u treguar shqiptarëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale,” shkroi Rama, duke shtuar se AZHBR nuk e kishte pranuar kërkesën. Pak orë më vonë, Top Channel i cilësoi deklaratat e Ramës si një “seri sulmesh“, që sipas televizionit vijnë “pas transmetimit të disa kronikave shqetësuese për publikun”.

Në orët e para të 27 marsit 2023, persona të paidentifikuar qëlluan rreth 25 plumba në drejtim të godinës së Top Channel në Tiranë, ndërsa po kalonin pranë saj me makinë. Sulmi me armë i shkaktoi vdekjen rojes së sigurisë, Pal Kola, i cili ndodhej në ambientet e jashtme të ndërtesës. Policia hapi një hetim dhe vonë atë ditë gjeti të braktisur një makinë Range Rover, me të cilën besohet se kishin udhëtuar autorët. Sulmi u dënua nga drejtuesit më të lartë të shtetit si dhe organizatat lokale dhe ndërkombëtare të lirisë së medias. Autorët dhe motivet e këtij sulmi janë ende të panjohur.

Fakte kyçe

Pjesa e audiencës

XX.XX%

Lloj pronësie

Private

Mbulimi gjeografik

Kombëtar

Llloji përmbajtjes

Pa pagesë (Digjital)

Kompani/Grupe mediatike

Top Media

Pronësi

Struktura e pronësisë

Televizioni Top Channel është në pronësinë e kompanisë aksionere Top Channel sh.a. Top Channel sh.a zotërohet në 100 përqind të aksioneve nga Vjollca Hoxha dhe katër fëmijët e saj, Lorela, Sara, Redia dhe Itan.

Të drejta votimi

Vetëm aksionerët kanë të drejtën e votës.

Pronar indvidual

Kompani/Grupe mediatike
Fakte

Informacion i përgjithshëm

Viti themelimit

2001

Interesat e lidhur të themeluesit

Dritan Hoxha e nisi karrierën në biznes si një importues kontrovers kafeje, por ishte investimi në media që e bëri atë të njohur dhe i dha famën e një “pionieri të teknologjisë digjitale” në hapësirën e jetuar nga shqiptarët. Në vitin 1998 ai themeloi Top Albania Radio dhe tre vjet më pas televizionin Top Channel, i cili, falë teknologjisë moderne dhe stafit të njohur të gazetarëve, u kthye në një kohë të shkurtër në ekranin kryesor të vendit. Në vitin 2004, Hoxha hodhi në treg platformën me pagesë DigitAlb, duke e fuqizuar edhe më tej grupin e tij të ri mediatik Top Media. Hoxha ndërroi jetë më 23 maj 2008, në moshën 40-vjeçare, pas një aksidenti automobilistik me makinën e tij Ferrari 599. Autoritetet më të larta shtetërore, përfshi ish-presidentin Bamir Topi dhe ish-kreu i opozitës, Edi Rama, morën pjesë në funeralin e tij. Megjithatë, Hoxha nuk pati marrëdhënie të paqta me të gjithë politikanët. Përplasjet publike të Dritan Hoxhës me ish-kryeministrin Sali Berisha për licensat satelitore dhe publikimi i disa skandaleve të qeverisë së tij [2005-2013] bënë që Top Channel të perceptohej si një televizion i afërt me ish-liderin e opozitës dhe kryeministrin e sotëm, Edi Rama. Pas vdekjes së Dritan Hoxhës në vitin 2008, aksionet e kompanive të themeluara prej tij u trashëguan nga bashkëshortja Vjollca Hoxha dhe katër fëmijët e tyre.

Interesat e lidhur të administratorit

Lorela Hoxha

është vajza e madhe e Dritan dhe Vjollca Hoxhës. Në shkurt 2023, Lorela mori stafetën e drejtimit të Top Channel nga nëna e saj. Ajo është gjithashtu aksionere e vetme e Top News, televizionit informativ që transmeton përmes platformës me pagesë DigitAlb.

Interesat e lidhur të kryeredaktorit

Altin Kreka

është kryeredaktori i departamentit të lajmeve në televizionin Top Channel. Kreka ka punuar prej më shumë se dy dekadash si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor për “Gazeta Shqiptare”, TV Klan dhe emisionin televiziv Top Story.

Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm

Filip Çakuli

anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë Top Channel sh.a si dhe drejtor i emisionit satirik/investigativ “Fiks Fare“.
Ledion Liço

anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë Top Channel sh.a. Ajo mban gjithashtu pozicionin e shefes së financës në të njëjtën kompani.

Kontakt

Rruga “17 Nentori”, Nr. 20, Mezez Koder, Komuna Kashar,Tirana

Tel: +355 69 20 80 500

top-channel.tv

Të dhëna financiare

Të ardhura (in Mil. USD)

12.4 Mln. $ / 1.59 Bn Lek

Fitim operativ (në Mil. USD)

0.38 Mln.. $/ 43 Mln..Lek

Reklamat (si % e financimit total)

Të dhënat mungojnë

Pjesa e tregut

23.6%

Më shumë informacion

Meta Data

Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2022. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2022. Top Channel iu përgjigj kërkesës për informacion të bërë nga ekipi i MOM më 24 gusht 2023. Të dhënat për audiencën e stacioneve kryesore televizive janë siguruar nga “Idra Media” dhe i përkasin periudhës 8 maj 2022 deri më 8 maj 2023. Për më shumë, shikoni burimet.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union