RTSH
Televizioni Shqiptar (TVSH) i filloi transmetimet televizive si eksperiment në vitin 1960. Edicioni i parë i lajmeve u transmetua në vitin 1963. Ai është pjesa kryesore e RTSH (Radio Televizionit Shqiptar).
RTSH financohet me një taksë të veçantë që paguhet nga çdo shtëpi në vend bashkë me faturën e energjisë elektrike dhe që, sipas analizës financiare të vetë institucionit për vitin 2022, zinte 57.5 për qind të financave të RTSH-së, 25.5 për qind e financave vijnë nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga televizoni kryesisht prej dhënies me qira të antenave të transmetimit apo transmetimeve për të tretë. Reklamat zënë 9 për qind të të ardhurave.
Megjithë financimin publik dhe numrin e madh të punonjësve, krahasimisht me televizionet private, RTSH ka një audiencë të vogël dhe pak ndikim. RTSH, që deri në vitin 1996 ishte i vetmi në gjuhën shqipe, e humbi dalëngadalë ndikimin pas viteve 2000 me fillimin e transmetimeve private. Edhe pse për një kohë të gjatë ai ishte i vetmi televizion që transmetonte në të gjithë territorin, rëndësia e tij u zbeh për shkak të perceptimit të përgjithshëm për njëanshmëri politike dhe cilësisë së diskutueshme të prodhimeve.
Ndërkohë, humbja e të drejtave televizive për transmetimin e ndeshjeve të futbollit të kombëtares dhe konkurrenca në eventet e tjera sportive e ka zbehur edhe më shumë rëndësinë e televizionit publik.
Gjatë diktaturës komuniste deri në fillimin e viteve ‘90 ai ishte mjet propagande për sistemin dhe pas pluralizmit, RTSH-ja nuk ndryshoi. Përgjithësisht, ai është kontrolluar prej shumicës qeverisëse në fuqi. Gjatë protestave, pas rënies së skemave piramidale në vitet 1996-1997, protestuesit veç parullave kundër qeverisë sulmuan gjithashtu edhe RTSH-në që dyshohej për programe jo të balancuara. Akuzat vijuan edhe pasi socialistët morën drejtimin e vendit. Edhe emërimet e Drejtorëve të Përgjithshëm janë parë shpesh si emërime politike.
Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në vite kanë ngritur dyshime për keqmenaxhim të financave të RTSH-së. Abuzimet e dyshuara, megjithatë, nuk ishin ndëshkuar deri në vitin 2021, kur ish-drejtori Thoma Gëllçi dhe disa nëpunës u arrestuan me akuzat e shpërdorimit të detyrës nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK. Gëllçi dhe nëpunësit u gjetën fajtorë dhe ish-drejtori është dënuar me vendim të formës së prerë me 16 muaj burg për shpërdorim detyre.
Dyshimet për cilësinë e programacionit, efektshmërinë e një strukture me mbi 960 punonjës dhe abuzime janë ngritur se fundmi edhe nga anëtarë të KDRTSH-së. Kryetari Leka Bungo dhe anëtarë si Mevlan Shanaj kanë kritikuar hapur cilësinë e programeve duke vënë theksin kryesisht në mungesën e programacionit artistik dhe humbje të audiencës.
Gjatë raportimit vjetor në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, regjisori Mevlan Shanaj tha se RTSH kishte braktisur publikun dhe askush, përfshi anëtarët e komisionit, nuk e ndiqte.
Në përgjigje të kërkesës për informacion për MOM, RTSH tha se nuk kishte të dhëna për shikueshmërinë.
Përmbajtja e RTSH-së rregullohet nga ligji dhe nënshtrohet mbikëqyrjes së Këshillit Drejtues të RTSH-së (KDRTSH), një organ kolegjial i zgjedhur nga parlamenti. Transmetuesi publik vepron në përputhje me statutin dhe rregulloret që japin udhëzime për përmbajtjen e tij. Gjithashtu, ka disa borde monitoruese të përmbajtjes të cilat synojnë të jenë përfaqësues të interesave të shoqërisë shqiptare.
Megjithatë, kritikat publike kryesisht kanë të bëjnë me menaxhimin e parave dhe cilësinë artistike. Anëtarët e KDRTSH-së pretendojnë se, politikisht, televizioni është i paanshëm, pavarësisht akuzave nga opozita rreth qëndrimeve të tij.
Pjesa e audiencës
XX.XX%
Lloj pronësie
Publik
Mbulimi gjeografik
Kombëtar
Llloji përmbajtjes
Pa pagesë (Digjital)
Kompani/Grupe mediatike
Radio Televizioni Shqiptar (RTSH)
Struktura e pronësisë
Radio Televizioni Shqiptar është një institucion jofitimprurës, i regjistruar si një entitet publik nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë.
Të drejta votimi
Legjislacioni parashikon kontroll të parlamentit mbi institucionin përmes zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, ku shumica ka 6 anëtarë dhe opozita 5 të tillë. Por prej 4 vjetësh KDRTSH-ja nuk është plotësuar me numrin e plotë të anëtarëve, për shkak të ngërçeve politike. Edhe pse përzgjedhja nuk duhet të jetë politike, zgjedhjet e kaluara të drejtorit të ri të RTSH-së provuan se KDRTSH-ja ishte e ndarë në linja partiake. Dështimi për gati tre vjet për të zgjedhur një drejtor të ri, pasi ligji kërkonte shumicë të cilësuar të anëtarëve të KDRTSH-së, bëri që shumica të ndryshonte ligjin “Për mediat adiovizive” në vitin 2016, duke mundësuar zgjedhjen e drejtorit të ri, i cili u kontestua nga opozita. Ndryshe nga herët e tjera votimi i fundit ishte unanim, të 8 anëtarët e pranishëm në mbledhje votuan për Alfred Pezën. Por KDRTSH-ja e tanishme, e cila ka 9 anëtarë nga 11, të zgjedhur në shumicën dërrmuese në vitet 2019, 2020, 2021 në një kohë kur parlamenti ishte braktisur nga opozita aktuale. Kjo e fundit pretendon se është e pa përfaqësuar në institucion.
Pronar indvidual
Informacion i përgjithshëm
Viti themelimit
1960
Interesat e lidhur të themeluesit
Televizioni Shqiptar (TVSH) është formuar nga qeveria shqiptare dhe pas rënies së komunizmit u bë institucion publik pjesë e RTSH-së.
Interesat e lidhur të administratorit
U zgjodh Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar më 13 qershor 2023 me votim unanim të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, RTSH.
Ish-deputet dhe ish-sekretar i Marrëdhënieve me Median për Partinë Socialiste në pushtet, Peza po ashtu ka një karrierë të gjatë si gazetar dhe drejtues në media.
Pas studimeve në shkollën ushtarake të oficerëve Peza, ka kryer një shkollë të dytë për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Elbasanit.
Ai filloi si gazetar në mesin e viteve ‘90 në gazetën “Populli Po” dhe menjëherë më pas në gazetën “Koha Jonë” ku shërbeu edhe si kryeredaktor në vitin 1998. Peza ishte po ashtu kryeredaktor i parë i gazetës “Shekulli” në vitet 1999-2000 dhe më pas kryeredaktor i lajmeve në televizionin “Klan” menjëherë pas themelimit të tij. Nga viti 2001, ai drejtoi gazetën “Korrieri” dhe nga viti 2007 për tre vite ishte Drejtor i Përgjithshëm i televizionit “Ora News” dhe në vitet 2011- 2013 Drejtor Informacioni në “Vizion +”.
Në vitin 2013 Peza u përfshi në politikë dhe u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në zonën e Peqinit. Pas përfundimit të mandatit, ai nuk rikandidoi, por, deri në shtator 2021, ai mbajti postin e sekretarit të Marrëdhënieve me Median për Partinë Socialiste.
Caktimi i Pezës si drejtor i RTSH-së është pritur me akuza nga opozita. Deputetja Ina Zhupa, njëkohësisht anëtare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvend, aludoi në një seancë dëgjimore me kryetarin e KDRTSH-së, Leka Bungo, dhe anëtarin Mevlan Shanaj e drejtues të RTSH-së se Drejtori i Përgjithshëm mund të zgjidhej bazuar në ligjin që “që i ndalon çdo anëtari partie, çdo ish-deputeti dhe çdo njeriu që merret me politikë për t’u zgjedhur në krye të Radiotelevizionit Shqiptar”.
Pas zgjedhjes së Pezës, Zhupa denoncoi publikisht në faqen e saj në Facebook se i ishte referuar kandidaturës së përfolur të Pezës. Ajo pretendoi se Peza u zgjodh në kundërshtim me ligjin. Kreu i KDRTSH-së pretendon se Peza i përmbushte kriteret ligjore.
Në akuzat e Zhupës për shkelje të ligjit ishte edhe lidhja e Pezës me portalin e lajmeve Alpenews. Portali filloi aktivitetin në vitin 2017 dhe u regjistrua si biznes në QKB në emër të Alfred Pezës në tetor 2018. Biznesi është çregjistruar si i tillë në një datë të mëvonshme të paqartë, megjithatë portali vijon të jetë aktiv dhe shkrimet e Pezës janë publikuar aty deri në janar 2023 në seksionin e Op-Ed të faqes.
Ky seksion është rezervuar vetëm për Pezën dhe shkrimet e tij, përmban kryesisht qëndrime pro shumicës dhe kritike ndaj opozitës dhe përfaqësuesve të saj. Shkrimet publikohen kryesisht nga një përdorues me pseudonimin “redaktor 1”.
Zgjedhja e Pezës u përcoll me shqetësim nga organizata të lirisë së medias, që kërkuan prej tij garanci për lirinë editoriale në RTSH. Por, pak pas emërimit, Peza u akuzua se filloi një fushatë shkarkimesh dhe emërimesh të padrejta në televizion.
Ndërkohë, para se të merrte postin në RTSH, Peza ishte Drejtor i Mediave “Panorama” deri në dhjetor 2022. Ndryshe nga opinionet në favor të qeverisë në Alpenews, në këtë post Peza akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kolegët e tij deputetë socialistë për prishjen e resortit “Prestige”, në pronësi të Irfan Hysenbelliut njëkohësisht zotërues i “Panorama”.
Gjatë mandatit si deputet, Peza u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për “Fshehje të të ardhurave”, “Pastrim të produkteve të veprës penale”, “Refuzim për deklarim”, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive”. Akuzat u ngritën pasi bashkëshortja e Pezës bleu për 113 milionë lekë 1 për qind të aksioneve të bankës “Credins”.
Fillimisht, dosja u dërgua në Gjykatën e Lartë, por për kompetencë u shqyrtua në Gjykatën e Tiranës, që e shpalli Pezën të pafajshëm, pasi më herët prokuroria u tërhoq nga shumica e akuzave duke e dërguar për gjykim për “mosdeklarim të pasurisë”. Gjykata e Lartë dhe ajo e Krimeve të Rënda refuzuan po ashtu edhe kërkesat e prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së tij.
Lidhur me këtë çështje, për Pezën pati akuza edhe se e përdori portalin Alpenews për të sulmuar ish-prokuroren e çështjes ndaj tij, Rovena Gashi. Pjesë të kësaj përplasje përfunduan në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen që Gashi dhe bashkëshorti i saj, ish-prokurori Dritan Gina, ngritën kundër Shqipërisë në një ankim lidhur me pezullimin e tyre nga Prokurori i Përgjithshëm. Por pretendimet e Gashit se artikujt kishin cënuar jetën e saj private e të ngjashme u rrëzuan nga gjykata.
Interesat e lidhur të kryeredaktorit
Vendi mbetet vakant sipas përgjigjes që RTSH i ktheu MOM.
Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm
Regjisor, aktor dhe skenarist u zgjodh në krye të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar në mars 2021.
Ndryshe nga paraardhësit në këtë Këshill, të cilët nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në menaxhim e televizionit, Bungo ka qenë shumë më aktiv, duke akuzuar Drejtorët e Përgjithshëm për abuzime me detyrën.
KDRTSH-ja, e drejtuar nga Bungo, mori vendimin e shkarkimit të ish-Drejtorit të Përgjithshëm Thoma Gëllçi, pasi këtij i kishte mbaruar mandati, në maj 2021.
Vetë Bungo, në disa dalje publike, përfshi fjalën në Komisionin Parlamentar për Mediat dhe Edukimin në datën 5 nëntor 2021, kritikoi ashpër mënyrën se si ishte menaxhuar RTSH-ja deri në atë moment. Në një intervistë të dhënë po në RTSH në gusht 2021 Bungo akuzoi drejtuesit dhe ish-drejtuesit e RTSH-së për “shpërdorime të natyrave të ndryshme”.
Ai tha në fjalën e tij se një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregonte se 80 për qind e drejtuesve në RTSH ishin paralajmëruar për shkarkim nga puna. Bungo përmendi edhe hapjen e kanaleve të reja brenda RTSH-së që, sipas tij, kishin rritur kostot duke ulur cilësinë e prodhimeve.
Ish-drejtori Thoma Gëllçi u arrestua dhe u dënua më pas me vendim të formës së prerë me 2 vjet burg për shpërdorim detyre për këto gjetje.
Bungo vijoi të ishte aktiv në jetën e RTSH-së edhe pas zgjedhjes në fillim të vitit 2022 të Enkelejd Jotit në krye të televizionit si Drejtor i Përgjithshëm. Ai bëri disa letra publike në të cilat akuzoi Jotin për emërime abuzive dhe po ashtu i kujtoi atij premtimin për të dhënë dorëheqjen për mos zgjidhje të problemeve. Vetëm pak kohë pas këtyre deklaratave publike Joti dha dorëheqjen.
Ndaj Bungos, megjithatë, ka pasur akuza për përndjekje të punonjësve të RTSH-së që kishin lidhje me ish-drejtorin e arrestuar Thoma Gëllçi. Po ashtu ndaj Bungos ka akuza publike për tendera dhe emërime në RTSH.
Regjisor dhe aktor shqiptar, u zgjodh anëtar i KDRTSH-së në vitin 2021. Shanaj ka pasur edhe më herët rol drejtues në RTSH. Ai ka qenë nga viti 1987 deri në vitin 1992 Drejtor i Departamentit të Filmit në TVSH dhe në vitin 2001 drejtor i Departamentit të Filmit dhe Spektaklit. Shanaj është po ashtu profesor i degës së regjisë në Akademinë e Arteve.
Është prej shkurtit 2022 zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i RTSH-së dhe ishte Drejtor i Përgjithshëm i komanduar prej prillit 2023 deri në 13 qershor pas dorëheqjes së Enkelejd Jotit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm. Neziri ka një eksperiencë të gjatë në media dhe, sipas faqes së tij në LinkedIn.com, ka shërbyer si kryeinxhinier/drejtor i teknologjisë i Top Channel për më shumë se 21 vjet. Më herët ai ka qenë përgjegjës teknik i ish-TeleArbëria, ndërsa liston edhe një eksperiencë në mësimdhënie.
Ashtu si drejtues të tjerë të televizionit publik, përfshi drejtorin e dorëhequr Enkelejd Joti dhe ish-drejtorin e Njësisë së Lajmeve, Bledar Zaganjori, Neziri vjen pas një kohe të gjatë punë për konkurrentët e televizionit kombëtar privat Top Channel.
u komandua si Drejtore e Njësisë së Programeve në RTSH, duke i zënë vendin Melsi Qiricit, që e mbante këtë detyrë prej gati dy vjetësh. Xhanija ka një të shkuar si gazetare dhe drejtuese në portalin “Alpe News” të themeluar nga drejtori i ri i RTSH-së, Alfred Peza. Në faqe ka të publikuar nën emrin e saj një sërë intervistash, kryesisht me kandidate për deputete apo kryetare bashkie nga radhët e Partisë Socialiste. Portali filloi aktivitetin në vitin 2017 dhe u regjistrua si biznes në QKB në emër të Alfred Pezës në tetor 2018. Biznesi është çregjistruar si i tillë në një datë të mëvonshme të paqartë. Ajo ka qenë në vitin 2017 kandidate për deputete për Tiranën në listën e partisë tashmë të shkrirë Libra që drejtohej nga Ben Blushi.
gazetare në RTSH dhe drejtuese e emisionit “Publikisht”. Një emision debati politik që transmetohet në prime-time dy herë në javë.
Kontakt
Të dhëna financiare
Të ardhura (in Mil. USD)
19.6 Mln..$/ 2.229 Mln..Lek
Fitim operativ (në Mil. USD)
Jofitimprurës
Reklamat (si % e financimit total)
9%
Pjesa e tregut
27.2%
Më shumë informacion
Meta Data
Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2022. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2022. Të dhënat për audiencën për televizonet kryesore u morën nga “Idra Media”. Të dhënat për RTSH-në u morën pjesërisht prej publikimeve të vetë institucionit. RTSH-ja iu përgjigj kërkesës për informacion të bërë nga ekipi i MOM më 14 gusht 2023. Për më shumë, shikoni burimet. Të dhënat për audiencën e stacioneve kryesore televizive janë siguruar nga “Idra Media” dhe i përkasin periudhës 8 maj 2022 deri më 8 maj 2023.
