Ora News

Ora News është një nga televizionet e dedikuara në transmetimin e lajmeve gjatë 24 orëve. Po ashtu, televizioni ka një program të gjerë, të fokusuar tek aktualiteti në Shqipëri dhe lajmet nga bota. Televizioni është i lidhur me RTV Ora, të dy kanë të njëjtin themelues dhe ish-aksioner dhe deri sëfundmi ishin nën ombrellën e familjes Ndroqi.

Programet e Ora News ritransmetohen në valët e Radio Ora, ndërsa televizioni simotër RTV Ora është kryesisht i fokusuar te emisionet e debatit, por dy televizionet shkëmbejnë programet dhe prodhimet e tyre. Po ashtu, gazetarët kryesorë janë të pranishëm në të dy kanalet.

Veç dy televizioneve dhe radios, në të njëjtin grup është edhe faqja e internetit Oranews.tv që ripublikon dhe transmeton materialet e gjeneruara nga televizionet.

Megjithatë, fati i lidhjes mes këtyre kanaleve është i paqartë pas konfiskimit të RTV ORA dhe radios së zotëruar nga Ora Sh.a. në shtator 2023, pasi Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e ish-pronarëve ndaj vendimit të konfiskimit marrë nga Gjykata e Posaçme e Apelit në prill 2023. Ora Sh.a. ishte në pronësi të Ylli Ndroqit dhe bashkëshortes. Edhe Ora News u prek nga konfiskimi, ndërsa 30% e aksioneve, më herët në pronësi të Ndroqit, kaluan nën menaxhim shtetëror.

Historia e Ora News, siç është sot, përfshin një seri transaksionesh që fillojnë me krijimin e një kompanie të thjeshtë tregtare nga dy biznesmenë italianë në vitin 1993. Kompania ''TEKNOTRADE LTD'', kishte si objekt prodhim dhe tregtim me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm. Aksionet e kompanisë u tregtuan disa herë.

Në vitin 2003, kompania pësoi ndryshime të tjera, pasi, fillimisht, biznesmenët italianë ia shitën apo dhuruan aksionet biznesmenit shqiptar Geront Selenica dhe kompanisë “The Point”.

Një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2013, që shqyrtoi një përplasje administrative mes kompanisë dhe Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit (sot Autoriteti i Mediave Audiovizive), tregon se kompania transmetonte që prej vitit 2003 nën emrin “Tele 1”. Kompania, sipas këtij vendimi, kishte shkelur licensën pasi transmetonte si përsëritës pa të drejta kanalet CNN dhe BBC. Gjykata megjithatë i dha të drejtë kompanisë në përplasjen me KKRT-në.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania nuk ka raportuar aktivitet deri në vitin 2010, veç bilancit të vitit 2007 që rezulton me një fitim 103 mijë lekë. Në vitin 2010 kompania u ble nga Ylli Ndroqi për 200 mijë euro dhe ndryshoi emrin në Channel One.

Ndroqi kishte blerë më herët, në vitin 2007, aksionet e Ora News (tani RTV Ora) nga Ilda Prifti, një 18-vjeçare në atë kohë pa aktivitet tjetër tregtar. Prifti e kishte regjistruar kompaninë në emrin e saj dhe ajo mund të konsiderohet si themeluese e markës, pavarësisht ndryshimeve të mëvonshme.

Prej këtij momenti, dy televizionet u binjakëzuan plotësisht edhe pse patën ndryshime në aksione. Në vitin 2010, Ndroqi i dhuroi bashkëshortes së tij 40% të aksioneve të Ora Sh.a., që kontrollonte atëherë Ora News. Ndërkohë, në vitin 2011, aksionet e Channel One iu shitën nga Ndroqi baxhanakut të tij, Astrit Sejdini, për 26.5 milionë lekë.

Në vitin 2013, Ndroqi i ribleu këto aksione për të njëjtën shumë parash. Ndërkohë, në mars 2019, ai i shiti sërish Sejdinit 70% të kompanisë që zotëronte Channel One, këtë herë për shumën 2.4 milionë lekë, ndërsa e gjithë kompania u vlerësua vetëm 3.5 milionë lekë, gati 9 herë më lirë se në vitin 2011.

Në shtator 2019, kompanitë e zotëruara nga Ndroqi, bashkëshortja dhe i afërmi i tyre, Sejdini, ndërmorën një sërë veprimesh drejt unifikimit të markës. Më 16 shtator 2019 kanali që kishte transmetuar deri atëherë si Ora News, u riemërua Rtv Ora dhe nga televizon me informacion 24 orë u kthye në televizion gjeneralist, që përfshinte spektaklin dhe filmat në transmetim, ndërsa mori edhe emisionet kryesore të debatit të Ora News. Ndërsa kanali që deri atëherë njihej si Channel One u riemërtua Ora News.

Këto ndryshime u njoftuan në faqen oranews.tv, por nuk u reflektuan në QKB. Ky ndryshim përfshiu edhe faqen e internetit oranews.tv dhe radion Radio Ora. Të gjitha mediat përdorin të njëjtën faqe interneti dhe po ashtu kanë shkëmbim programesh. Ndryshimi i emrave i dy stacioneve televizive ndodhi vetëm pak muaj pasi Ndroqi i shiti për të dytën herë aksionet baxhanakut të tij, Sejdini, i cili publikisht njihet si “Shef Titi” dhe ishte drejtues i një emisioni gatimi në televizion.

Një vit më vonë, Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, njoftoi fillimin e hetimit pasuror, bazuar në ligjin Antimafia, ndaj Ylli Ndroqit dhe në gusht 2020 u vunë në sekuestro preventive aksionet e tij dhe të bashkëshortes. Sekuestro përfshiu 30% të aksioneve të kompanisë Channel One që kontrollonte kanalin televiziv Ora News dhe faqen e internetit oranews.tv dhe 100% të aksioneve të Ora Sh.a. që kontrollonte televizionin që transmeton me siglën Rtv Ora dhe Radion Ora.

Gjykata e Posaccme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e gjeti të provuar pretendimin e prokurorisë dhe vendosi konfiskimin e pasurive të Ndroqit, përfshirë aksionet në televizion dhe radio. Ndroqi e apeloi vendimin.

Në janar 2023, para se Gjykata e Posaçme e Apelit të shqyrtonte çështjen, me dakordësinë e Farudin Arapit, administrator shtetëror i 30% të aksioneve të konfiskuara nga Ylli Ndroqi, kompania Channel One ndërroi zyrtarisht emrin në Ora News. Po ashtu, në dokumentet e kompanisë të firmosura pas këtij ndryshimi shfaqet logoja e Ora News, e ngjashme me atë që përdoret nga Rtv Ora. Të dy televizionet transmetohen live në faqen oranews.tv bashkë me Radio Orën, që ritransmeton programet e tyre.

Në prill 2023, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, bazuar në ligjin Antimafia, aksionet e Ndroqit dhe bashkëshortes u konfiskuan me vendim të formës së prerë. Në shtator 2023, Gjykata e Lartë refuzoi një kërkesë të Ndroqit dhe bashkëshortes së tij për pezullim të vendimit të Gjykatës së Apelit.

Në të njëjtën kohë, Qendra Kombëtare e Biznesit i kaloi aksionet e Ndroqit pranë kompanisë që zotëron Ora News dhe ato pranë Ora Sh.a. që kontrollon radion në emër të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Ndroqi dhe bashkëshortja kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë, pavarësisht se aksionet e tij janë të konfiskuara, në dokumente rezulton se Ndroqi firmosi si ortak miratimin e bilanceve për vitin 2022, ku kompania rezulton me humbje 634 mijë lekë.

Në vitin 2022, kompania u gjobit me 50 milionë lekë nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave, me akuzën se kishte shmangur detyrimet duke mos paguar siguracione të plota për gazetarët e punonjës të tjerë në media. Përfaqësues të kompanisë e cilësuan gjobën një përpjekje për t’i mbyllur, ndërsa vunë në dukje se shkeljet e presupozuara kishin ndodhur gjatë kohës që kompania menaxhohej nga AAPS-ja.

Pavarësisht situatës së biznesit, televizionet kanë vijuar të mbajnë një qëndrim editorial kritik ndaj qeverisë dhe specifikisht kryebashkiakut të Tiranës.

Ndroqi dhe mbështetës të tij i kanë cilësuar konfiskimet si goditje ndaj lirisë së medias për shkak të qëndrimit të tyre editorial. Vetë Ndroqi bëri publike mesazhet e kryebashkiakut të Tiranës, në të cilat ky i fundit shprehte pakënaqësinë ndaj televizionit. Veliaj u kundërpërgjigj duke e akuzuar Ndroqin se po e shantazhonte. 

Fakte kyçe

Pjesa e audiencës

XX.XX%

Lloj pronësie

Private; Shtetërore

Mbulimi gjeografik

Lokal (Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan)

Llloji përmbajtjes

Pa pagesë (Digjital)

Kompani/Grupe mediatike

Ora News LLC

Pronësi

Struktura e pronësisë

Kompania Ora News zotërohet nga aksioneri Astrit Sejdini me 70 % të aksioneve, 30 % e aksioneve janë në pronësi të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK)

Të drejta votimi

Vendimet për kompaninë merren nga Sejdini dhe administratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Pronar indvidual

Kompani/Grupe mediatike
Fakte

Informacion i përgjithshëm

Viti themelimit

2006

Interesat e lidhur të themeluesit

Ilda Prifti

Më 2006 Ilda Prifti, atëherë 18 vjeçe, themeloi një kompani të quajtur Ora për të ndërtuar një televizion vendor me bazë në Tiranë me kapital themeltar 100,000 lekë (1.067 USD). Në dhjetor 2006, kapitali i kompanisë u rrit në 25 milionë lekë (266.794 USD) dhe televizioni u hap me formatin informativ 24 orësh pak para zgjedhjeve për pushtetin vendor të vitit 2007. Nuk ka interesa të tjera të njohura të lidhura me themeluesen. Ajo nuk rezulton e përfshirë në biznese të tjera pas këtij.

Interesat e lidhur të administratorit

Gloria Sadushi

U emërua administratore e kompanisë Ora News në maj 2023, me vendim të administratorit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) Farudin Arapit që administron 30% të aksioneve të konfiskuara të Ylli Ndroqit dhe Astrit Sejdinit, që zotëron 70 % të aksioneve. Sadushi nuk rezulton të ketë interesa të tjera.

Interesat e lidhur të kryeredaktorit

Brahim Shima

është gazetar prej mbi 20 vjetësh dhe ka drejtuar si kryeredaktor ish të përditshmen “Metropol”. Prej disa vitesh Shima është Drejtor i Informacionit pranë RTV Ora dhe Ora News.

Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm

Ylli Ndroqi

ish-zotëruesi i 30 % të aksioneve të kompanisë Channel One, tani Oranews. Ai u shfaq për herë të parë si biznesmen në Shqipëri, me regjistrimin në vitin 2003 të kompanisë “Yldon sh.p.k”, kapitali i të cilës u rrit në pak kohë. Në vitin 2007, Ndroqi u përfshi në media dhe bleu nga Ilda Prifti aksionet e Ora News (tani RTV Ora) për 25 milionë lekë. Në vitin 2011 ai i transferoi bashkëshortes, Mimoza Ndroqi, 40% të aksioneve.
Në dhjetor 2010, Ylli Ndroqi bleu 100% të aksioneve të “Teknotrade sh.p.k” për 265,000 euro. Kompania u riemërtua Channel One dhe sëfundmi Ora News. Aksionet e kësaj kompanie të dytë kanë ndryshuar disa herë duar mes Ndroqit dhe ortakut të tij, Astrit Sejdini, i cili zotëron sëfundmi 70 % të aksioneve.
Ylli Ndroqi ka themeluar disa kompani të ndryshme. Bazuar në bilancet e publikuara në QKB, vitet 2013-2016 ishin vitet më të mira të biznesit për kompanitë e Ndroqit. Në vitin 2015, kompania kryesore në pronësi të tij, në bashkëpunim me kompani të tjera, nënshkruan një kontratë koncesionare për ndërtimin e një porti jahtesh në Durrës, një projekt që nuk u zhvillua. Kompania “Albania Bay Marina”, e zotëruar 50% nga Ndroqi, është pezulluar.
Në vitin 2020, Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, që nisi hetimet mbi pasurinë e Ndroqit mbështetur në ligjin antimafia, përmend si arsye arrestimin e tij në Turqi në vitin 1998 dhe një urdhër arresti nga Italia në vitin 2006. Ndroqi, që në dokumentet e prokurorisë figuron edhe me emrin Xhemail Pasmaçiu, është përfshirë sipas SPAK në trafik narkotikësh dhe pasuria e tij nuk justifikohet me burime të ligjshme. Ligji antimafia kërkon që provat për pasurinë t’i japë personi i akuzuar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo në Apel i kanë gjetur të drejta pretendimet e akuzës.
Aksionet e kompanisë Ora, nën emrin e Ylli Ndroqit 60% dhe bashkëshortes së tij 40 %, u konfiskuan në prill 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bazuar në ligjin antimafia.
Aksionet i kaluan në pronësi Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara në shtator 2023, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi një kërkes për pezullim vendimi të bërë nga Ndroqi dhe bashkëshortja.
Bashkë me aksionet e kompanisë që kontrollon RTV ORA, Ylli Ndroqit i janë konfiskuar edhe 30 për qind të aksioneve në televizionin simotër Ora News, ish-Channel One. Po ashtu atij i janë konfiskuar aksionet në të gjitha kompanitë dhe një sërë pronash private.
Ylli Ndroqi dhe bashkëshortja kanë regjistruar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të konfiskimit.
Veç biznesit, Ndroqi ishte për 6 vjet konsull nderi i Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, 2012-2018, dhe për një periudhë kohe edhe President dhe më pas President Nderi i shoqatës së konsujve të nderit në Shqipëri. Në vitin 2022 ai u sanksionua nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Kontakt

Rruga Aleksander Moisiu, Ish-Kinostudioja "Shqiperia e Re", Tirana, Albania.

Email: info@oranews.tv

Tel: +355 42 34 7577

Të dhëna financiare

Të ardhura (in Mil. USD)

1.09 Mln. $/ 124 Mln..Lek

Fitim operativ (në Mil. USD)

-0.05 Mln. $/ -5 Mln..Lek

Reklamat (si % e financimit total)

Të dhënat mungojnë

Pjesa e tregut

2.1%

Më shumë informacion

Meta Data

Struktura e pronësisë dhe raportet financiare janë të disponuara publikisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit të Shqipërisë. Të dhënat financiare janë për vitin 2022 dhe i referohen kompanisë Ora Sh.a., e cila zotëronte në atë moment televizionin Ora News. Prej janarit 2023, televizioni zotërohet nga kompania Ora News Shpk. Kursi mesatar i këmbimit i vitit 2022 i publikuar nga Banka e Shqipërisë është përdorur për konvertimin e shumave në USD. Të dhënat për audiencën e stacioneve kryesore televizive janë siguruar nga “Idra Media” dhe i përkasin periudhës 8 maj 2022 deri më 8 maj 2023. Pë më shumë, shikoni burimet.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union