News 24

News 24 i filloi transmetimet në mars të vitit 2002 si i pari televizion i formatit 24 orë informacion në ditë në Shqipëri. Projekti televiziv u financua nga kompania italiane “Edisud S.p.a”, e cila ishte e pranishme në tregun shqiptar të medias prej vitit 1993 me botimin e të përditshmes “Gazeta Shqiptare”. Përgjatë 9 viteve të operimit, televizioni News 24 ishte nën pronësinë e kompanisë “Edisud Radio-TV” sh.p.k, e përfaqësuar nga gazetari italian Carlo Bollino. Ndërsa në maj 2011, televizioni News 24, së bashku me mediat e tjera të grupit, ndryshuan pronësi pas një marrëveshjeje me vlerë 5.9 milionë eurosh në total mes kompanisë “Edisud S.p.a” dhe dy biznesmenëve shqiptarë, Irfan Hysenbelliu dhe Artan Santo.

Ndryshimi i pronësisë së televizionit News 24 dhe i mediave të tjera të themeluara nga “Edisud S.p.a” u komentua në atë kohë si një lëvizje e frymëzuar politikisht nga ish-kryeministri Sali Berisha. Alba Malltezi, ish-drejtuese dhe bashkëshortja e Bollinos, akuzoi Berishën se përmes shitjes kishte për qëllim vendosjen nën kontroll “të medias kritike”.

Ndërsa po vazhdonin negociatat me “Edisud S.p.a” në Itali, Hysenbelliu dhe Santo themeluan në prill të vitit 2011 kompaninë mediatike “Focus Group” sh.p.k, ku secili kishte 50% të aksioneve. “Focus Group sh.p.k” është aksioneri i vetëm i kompanive “Focus Media News” që zotëron televizionin News 24, portalin e lajmeve Balkanweb dhe Radion “Rash” si dhe e “Focus Press” që zotëron të përditshmen “Gazeta Shqiptare”. Por vetëm pak muaj pas finalizimit të kontratës së blerjes, ata i transferuan kuotat në emër të vajzave të tyre, Fabiola Hysenbelliu dhe Emi Santo për një vlerë prej 50 mijë lekësh secila. Në tetor, “Focus Group” ndryshoi sërish pronësi, duke pasur si aksionerë 50 me 50 Asllan Grezdën dhe Bashkim Hysenbelliun. Grezda ishte në atë kohë aksioner në bankën “Credins” të drejtuar nga Santo, ndërsa Bashkim Hysenbelli është kushëri i Irfan Hysenbelliut dhe nuk zotëron aktivitete të tjera biznesi. Në shkurt 2017, Bashkim Hysenbelli u bë aksioner i vetëm i kompanisë pasi bleu 50% të aksioneve në emrin e Grezdës për 50 mijë lekë. Në dhjetor 2018, biznesmeni Irfan Hysenbelliu bleu 100% të aksioneve të kompanisë “Focus Group” nga kushëriri i tij për një çmim dysheme prej 100,000 lekësh.

Ndryshimet në strukturën e pronësisë nuk e lëkundën pozicionin e televizionit News 24 në treg. Me fokus te informacioni i shpejtë dhe analiza politike, ai është mjaft popullor në ambientet publike si baret dhe restorantet dhe vazhdon të mbetet stacioni i këtij formati me shikueshmërinë më të lartë në vend.

Fakte kyçe

Pjesa e audiencës

XX.XX%

Lloj pronësie

Private

Mbulimi gjeografik

Lokal (Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë)

Llloji përmbajtjes

Pa pagesë (Digjital)

Kompani/Grupe mediatike

Focus Group

Pronësi

Struktura e pronësisë

Televizioni News 24 zotërohet nga kompania “Focus Media News”. “Focus Group” është aksioneri i vetëm i kompanisë “Focus Media News”.

Të drejta votimi

Vetëm aksionerët kanë të drejtën e votës.

Pronar indvidual

Kompani/Grupe mediatike
Fakte

Informacion i përgjithshëm

Viti themelimit

2002

Interesat e lidhur të themeluesit

EDISUD S.p.a

kompani mediatike me qendër në Bari të Italisë, e cila në kohën e themelimit përfaqësohej nga presidenti i saj Giuseppe Lobuono. Më 29 mars 2002, Edisud S.p.a vendosi të themelojë në Shqipëri kompaninë bijë “Edisud Radio TV”. Në kohën e themelimit, kompania shqiptare kishte një kapital prej 25 milionë lekësh dhe kishte si objekt veprimtarinë në fushën radio-televizive. Përfaqësuesi i saj ligjor në Shqipëri ishte Carlo Bollino, gazetar i agjencisë italiane të lajmeve ANSA dhe administrator i “Gazeta Shqiptare” në Tiranë. Më 20 maj 2011, kompania italiane vendosi të shesë të gjitha aksionet që zotëronte në Tiranë, përfshi edhe të drejtat për markat e regjistruara News 24, Gazeta Shqiptare, Milosao, Ndërkombëtare, Telegazeta, Bluetooth dhe Shqiptare. Kjo kompani u ble nga kompania “Focus Group”, e cila zotërohej 50% me 50% nga biznesmeni Irfan Hysenbelliu dhe bankieri Artan Santo.

Interesat e lidhur të administratorit

Ardit Çela

ka studiuar për inxhinieri telekomunikacioni në Universitetin e Tiranës. Ai ka mbajtur më parë postin e sekretarit të Marrëdhënieve me Publikun në Lëvizjen Socialiste për Integrim si dhe atë të drejtorit të Përgjithshëm të “Posta Shqiptare”. Çela ka qenë gjithashtu anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021 kandidoi për deputet për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Çela është administrator i kompanisë “Panorama Group” prej janarit 2016, ndërsa në shtator 2022 ai mori gjithashtu administrimin e kompanisë “Focus Media News”.

Interesat e lidhur të kryeredaktorit

Anila Jole

ka një karrierë 30-vjeçare në media dhe punon si kryeredaktore e televizionit News 24. Ajo e ka nisur karrierën në mesin e viteve ‘90 në radio Korça dhe punoi më pas si gazetare dhe spikere lajmesh në radio dhe TV Koha, në News 24 dhe Top Channel. Jole ka punuar gjithashtu si kryeredaktore në Radio Rash dhe Balkanweb.

Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm

Robert Rakipllari

është drejtor Informacioni dhe Programacioni i televizionit informativ News 24. Ai ka një karrierë të gjatë në median shqiptare si gazetar, redaktor dhe analist politik si dhe ka punuar më parë si kryeredaktor i gazetave “Panorama” dhe “Shekulli”.

Kontakt

Rruga Ali Demi,

ish-Kombinati i Autotraktorëve, Zyrat e Administratës, Tirana;

Tel: +355(4)359104

Website: balkanweb.com

Të dhëna financiare

Të ardhura (in Mil. USD)

3.06 Mln. $/ 347 Mln..Lek

Fitim operativ (në Mil. USD)

-0.31 Mln.. $/ -35 Mln..Lek

Reklamat (si % e financimit total)

Të dhënat mungojnë

Pjesa e tregut

5.8%

Më shumë informacion

Meta Data

Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2023. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2023. Kompania “Focus Media News” iu përgjigj një kërkese për informacion të ekipit të MOM më 27 korrik 2023. Për më shumë, shihni burimet. Të dhënat për audiencën e stacioneve kryesore televizive janë siguruar nga “Idra Media” dhe i përkasin periudhës 8 maj 2022 deri më 8 maj 2023.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union