Republika e Shqipërisë

Republika e Shqipërisë

Shteti shqiptar, njëlloj si shtete të tjera, ka nën kontroll televizionin dhe radion publike, që financohen përmes buxhetit dhe një takse të posaçme.

Në fakt, përgjatë periudhës së diktaturës komuniste 1944-1991, media në Shqipëri ka qenë plotësisht e kontrolluar nga shteti. Pas rënies së diktaturës në vitet 90’, në vend u themeluan një numër mediash me pronësi private. Në fundin e viteve 90’ u shfaqën edhe televizionet e para me pronësi private.

Megjithatë shteti mbajti pronësinë e RTSH, që u transformua në një radio-televizion publik. RTSH u zgjerua me një sërë kanalesh televizive dhe radiofonike pas digjitalizimit dhe financohet kryesisht përmes një takse të posaçme bashkëlidhur faturës së energjisë elektrike. Ai konsiderohet si pronë publike dhe kontrollohet nga Parlamenti dhe struktura të posaçme që duhet të garantojnë pavarësinë e tij nga qeveria.

Veç RTSH, Republika e Shqipërisë, konsiderohet pronare dhe zotëron që prej shtatorit 2023 përmes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) edhe Radio Televizionin Ora dhe 30% të aksioneve të kompanisë Ora News, që ka nën kontroll televizionin me të njëjtin emër dhe portalin e lajmeve oranews.tv.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) është një ent shtetëror i krijuar në vitin 2004 bazuar në ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit te organizuar” i njohur si ligji Antimafia, i cili parashikon konfiskimin e pasurive të pajustifikuara të persova të akuzuar për përfshirje në krimin e organizuar. Agjencia është në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe drejtohet nga një kryeadministrator.

Kontrolli i shtetit mbi ORA Sha që ka në pronësi radion dhe televizion me të njëjtin emër dhe 30% të aksioneve të Oranews, vjen pas vendimeve të gjykatës, që vendosi konfiskimin e tyre pas hetimeve mbi pasurinë e ish-pronarit Ylli Ndroqi. Pasuritë e Ndroqit u konfiskuan pas hetimeve nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK. Hetimet mbi pasurinë e Ndroqit nisën mbështetur në ligjin Antimafia dhe përmendin si arsye arrestimin e tij në Turqi në vitin 1998 dhe një urdhër arresti nga Italia në vitin 2006. Ndroqi, i cili figuron në dokumentet e prokurorisë edhe me emrin Xhemail Pasmaçiu, është përfshirë në të shkuarën sipas SPAK në trafik narkotikësh dhe pasuria e tij nuk justifikohet me burime të ligjshme. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo në Apel i kanë gjetur të drejta pretendimet e akuzës. Në shtator 2023, Gjykata e Lartë refuzoi një kërkesë për pezullimin e këtyre vendimeve.

Për shkak të ndërhyrjeve të politikës, imazhi i mediave publike në Shqipëri është ai i institucioneve të kontrolluara nga partia në pushtet. Edhe mekanizmat e përcaktuar për të garantuar pavarësi si Këshilli Drejtues shihen si të kontrolluara politikisht. Pavarësisht buxhetit më të mirë se mjaft media private, ndjekshmëria e medias publike në vend është e ulët.

Kompani/Grupe mediatike
Media
Fakte

Më shumë informacion

Meta Data

Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Bizneseve në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2022. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2022. Për më shumë, shikoni burimet.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union
  • Funded by
    BMZ