Astrit Sejdini

Astrit Sejdini

Astrit Sejdini nuk zotëron biznese të tjera veç 70% të aksioneve të kompanisë Ora News. Ai e bleu fillimisht këtë kompani në vitin 2011, për 26.5 milion lekë nga baxhanaku i tij, Ylli Ndroqi. Në vitin 2013, aksionet iu rishitën Ndroqit me të njëjtin çmim. Sejdini u rikthye aksioner në kompani në vitin 2019, kur bleu 70 për qind të aksioneve për një çmim shumë më të lirë se disa vite më herët. 

Në të dyja kontratat, Sejdini që ka jetuar më herët në Australi, identifikohet me pasaportën australiane. Në profilin e tij në LinkedIn, Sejdini prezantohet si kuzhinier pranë Ora News. Në profil janë paraqitur video në të cilat Sejdini shfaqet duke gatuar në restorantin që ndodhet brenda godinës së televizionit. Për mbi 8 vite ai ka drejtuar emisione televizive gatimi në Ora News, në të cilat njihet si “Shef Titi”.

Kompani/Grupe mediatike
Media
Fakte

Familjarë & miq

Interesat e lidhura të anëtarëve të familjes

Ylli Ndroqi

baxhanaku i Astrit Sejdinit, është ish zotëruesi i 30 % të aksioneve të kompanisë Channel One tani Oranews. Ai u shfaq për herë të parë si biznesmen në Shqipëri, me regjistrimin në vitin 2003, të kompanisë Yldon sh.p.k, kapitali i të cilës u rrit në pak kohë. Në vitin 2007 Ndroqi u përfshi në media dhe bleu nga Ilda Prifti aksionet e Ora News (tani RTV Ora) për 25 milion lekë. Në vitin 2011 ai i transferoi bashkëshortes Mimoza Ndroqi 40% të aksioneve.
Në dhjetor 2010, Ylli Ndroqi bleu 100% të aksioneve të Teknotrade sh.p.k për 265,000 euro. Kompania u riemërua Channel One dhe sëfundmi Ora News. Aksionet e kësaj kompanie të dytë kanë ndryshuar disa herë duar mes Ndroqit dhe ortakut të tij Astrit Sejdini, i cili zotëron sëfundmi 70 % të aksioneve.
Ylli Ndroqi ka themeluar disa kompani të ndryshme. Bazuar në bilancet e publikuara në QKB, vitet 2013-2016 ishin vitet më të mira të biznesit për kompanitë e Ndroqit. Në vitin 2015, kompania kryesore në pronësi të tij në bashkëpunim me kompani të tjera nënshkruan një kontratë koncesionare për ndërtimin e një porti jahtesh në Durrës. Një projekt që nuk u zhvillua. Kompania Albania Bay Marina, e zotëruar 50% nga Ndroqi është pezulluar.
Në vitin 2020 Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, që nisi hetimet mbi pasurinë e Ndroqit mbështetur në ligjin antimafia, përmend si arsye arrestimin e tij në Turqi në vitin 1998 dhe një urdhër arresti nga Italia në vitin 2006. Ndroqi që në dokumentet e prokurorisë figuron edhe me emrin Xhemail Pasmaçiu, është përfshirë sipas SPAK në trafik narkotikësh dhe pasuria e tij nuk justifikohet me burime të ligjshme. Ligji antimafia kërkon që provat për pasurinë t’i japë personi i akuzuar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo në Apel i kanë gjetur të drejta pretendimet e akuzës.
Aksionet e kompanisë Ora, nën emrin e Ylli Ndroqit 60% dhe bashkëshortes së tij 40 %, u konfiskuan në prill 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, bazuar në ligjin antimafia.
Aksionet i kaluan në pronësi Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara në shtator 2023, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi një kërkes për pezullim vendimi të bërë nga Ndroqi dhe bashkëshortja.
\Bashkë me aksionet e kompanisë që kontrollon RTV ORA, Ylli Ndroqit i janë konfiskuar edhe 30 për qind të aksioneve në televizionin simotër Ora News ish-Channel One. Po ashtu atij i janë konfiskuar aksionet në të gjitha kompanitë dhe një sërë pronash private.
Ylli Ndroqi dhe bashkëshortja kanë regjistruar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të konfiskimit.
Veç biznesit Ndroqi ishte për 6 vjet konsull nderi i Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, 2012-2018 dhe për një periudhë kohe edhe President e më pas President Nderi i shoqatës së konsujve të nderit në Shqipëri. Në vitin 2022 ai u sanksionua nga Departamenti i Shtetit i SHBA, për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Më shumë informacion

Meta Data

Struktura e pronësisë dhe raportet financiare janë publikisht të disponueshme në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Të dhënat financiare të raportuara i përkasin vitit 2022. Kursi mesatar i këmbimit i raportuar nga Banka e Shqipërisë është përdorur për të konvertuar shumat në USD. Shiko burimet për më shumë.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union
  • Funded by
    BMZ