Ora News LLC

Ora News LLC

Historia e Ora News, siç është sot, përfshin një seri transaksionesh që fillojnë me krijimin e një kompanie të thjeshtë tregtare nga dy biznesmenë italianë në vitin 1993. Kompania ''TEKNOTRADE LTD'', kishte si objekt prodhim e tregtim me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm. Aksionet e kompanisë u tregtuan disa herë.

Në vitin 2003 kompania pësoi ndryshime të tjera, pasi fillimisht biznesmenët italianë ia shitën apo dhuruan aksionet biznesmenit shqiptar Geront Selenica dhe kompanisë The Point.

Një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2013, që shqyrtoi një përplasje administrative mes kompanisë dhe Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit (sot Autoriteti i Mediave Audiovizive), tregon se kompania transmetonte që prej vitit 2003 nën emrin Tele 1. Kompania sipas këtij vendimi kishte shkelur licencën pasi transmetonte si përsëritës pa të drejta kanalet CNN dhe BBC. Gjykata megjithatë i dha të drejtë kompanisë në përplasjen me KKRT-në.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania nuk ka raportuar aktivitet deri në vitin 2010, veç bilancit të vitit 2007 që rezulton me një fitim 103 mijë lekë. Në vitin 2010 kompania u ble nga Ylli Ndroqi për 200 mijë euro dhe ndryshoi emrin në Channel One.

Ndroqi kishte blerë më herët, në vitin 2007 nga Ilda Prifti, një 18-vjeçare në atë kohë pa aktivitet tjetër tregtar, aksionet e Ora News (tani RTV Ora) për 25 milion lekë. Prifti kishte regjistruar kompaninë në emrin e saj dhe ajo mund të konsiderohet si themeluese e markës, pavarësisht ndryshimeve të më mëvonshme.

Prej këtij momenti dy televizionet u binjakëzuan plotësisht edhe pse patën ndryshime në aksione. Në vitin 2010 Ndroqi i dhuroi bashkëshortes së tij 40% të aksioneve të Ora Sha, që kontrollonte atëherë Ora News. Ndërkohë në vitin 2011 aksionet e Channel One iu shitën nga Ndroqi baxhanakut të tij Astrit Sejdinin për 26.5 milion lekë.

Në vitin 2013 Ndroqi i ribleu këto aksione për të njëjtën shumë parash. Ndërkohë në mars 2019 ai i shiti sërish Sejdinit 70 % të kompanisë që zotëronte Channel One, këtë herë për shumën 2.4 milion lekë, ndërsa e gjithë kompania u vlerësua vetëm 3.5 milionë lekë, gati 9 herë më lirë se në vitin 2011.

Në shtator 2019 kompanitë e zotëruara nga Ndroqi, bashkëshortja dhe i afërmi i tyre Sejdini ndërmorën një sërë veprimesh drejt unifikimit të markës. Në 16 shtator 2019 kanali që kishte transmetuar deri atëherë si Ora News, u riemërua Rtv Ora dhe nga televizon me informacion 24 orë u kthye në televizion gjeneralist, që përfshinte spektaklin dhe filmat në transmetim, ndërsa mori edhe emisionet kryesore të debatit të Ora News. Ndërsa kanali që deri atëherë njihej si Channel One u riemërua Ora News.

Këto ndryshime u njoftuan në faqen oranews.tv, por nuk u reflektuan në QKB. Ky ndryshim përfshiu edhe faqen e internetit oraNews.tv dhe radion Radio Ora. Të gjitha mediat përdorin të njëjtën faqe interneti dhe po ashtu kanë shkëmbim programesh. Ndryshimi i emrave i dy stacioneve televizive ndodhi vetëm pak muaj pasi Ndroqi i shiti për të dytën herë aksionet baxhanakut të tij Sejdini, i cili publikisht njihet si “Shef Titi” dhe ishte drejtues i një emisioni gatimi në televizion.

Një vit më vonë Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, njoftoi fillimin e hetimit pasuror, bazuar në ligjin antimafia ndaj Ylli Ndroqit dhe në gusht 2020 u vunë në sekuestro preventive, aksionet e tij dhe bashkëshortes. Sekuestro përfshiu 30 % të aksioneve të kompanisë Channel One që kontrollonte kanalin televiziv Ora News dhe faqen e internetit oraNews.tv dhe 100 % të aksioneve të Ora Sha që kontrollonte televizionin që transmeton me siglën Rtv Ora dhe Radion Ora.

Gjykata e Posaccme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e gjeti të provuar pretendimin e prokurorisë dhe vendosi konfiskimin e pasurive të Ndroqit përfshi aksionet në televizion e radio. Ndroqi e apeloi vendimin.

Në janar 2023, para se Gjykata e Posaccme e Apelit të shqyrtonte ccështjen, me dakordsinë e Farudin Arapit, administrator shtetëror i 30 % të aksioneve të konfiskuara nga Ylli Ndroqi, kompania Channel One ndërroi zyrtarsisht emrin në Ora News. Po ashtu në dokumentet e kompanisë të firmosura pas këtij ndryshimi shfaqet logo e Ora News, e ngjashme me atë që përdoret nga Rtv Ora. Të dy televizionet transmetohen live në faqen oraNews.tv bashkë me Radio Orën, që ritransmeton programet e tyre.

Në prill 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, bazuar në ligjin antimafia aksionet e Ndroqit dhe bashkëshortes u konfiskuan me vendim të formës së prerë.

Në shtator 2023 Gjykata e Lartë refuzoi një kërkesë të Ndroqit dhe bashkëshortes së tij për pezullim të vendimit të Gjykatës së Apelit. Në të njëjtën kohë Qendra Kombëtare e Biznesit i kaloi aksionet e Ndroqit pranë kompanisë që zotëron Ora News dhe ato pranë Ora Sha që kontrollon radion në emër të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Ndroqi dhe bashkëshortja kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Ndërkohë pavarësisht se aksionet e tij janë të konfiskuara, në dokumente rezulton se Ndroqi firmosi si ortak miratimin e bilanceve për vitin 2022, ku kompania rezulton me humbje 634 mijë lekë.

Ora News ka një program të gjërë, të fokusuar te aktualiteti në Shqipëri dhe lajmet nga bota. Emisionet kryesore të debatit janë të vendosura në RTV Ora, e cila menaxhohet nga kompania e konfiskuar Ora Sh.a, por dy televizionet shkëmbejnë programet dhe prodhimet e tyre. Po ashtu gazetarët kryesorë janë të pranishëm në të dy kanalet.

Veç dy televizioneve në grup është edhe Radio Ora dhe faqe e internetit Oranews.tv që ripublikojnë dhe transmetojnë materialet e gjeneruara nga televizionet.

Në vitin 2022 kompania u gjobit me 50 milion lekë nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave, me akuzën se kishte shmangur detyrimet duke mos paguar siguracione të plota për gazetarët e punonjës të tjerë në media. Përfaqësues të kompanisë e cilësuan gjobën, përpjekje për t’i mbyllur, ndërsa vunë në dukje se shkeljet e presupozuara kishin ndodhur gjatë kohës që kompania menaxhohej nga AAPS.

Pavarësisht situatës së biznesit televizionet kanë vijuar të mbajnë një qëndrim editorial kritik ndaj qeverisë dhe specifikisht kryebashkiakut të Tiranës.

Ndroqi dhe mbështetës të tij i kanë cilësuar konfiskimet si goditje ndaj lirisë së medias për shkak të qëndrimit të tyre editorial. Vetë Ndroqi bëri publike mesazhet e kryebashkiakut të Tiranës, në të cilën ky i fundit shprehte pakënaqësinë ndaj televizionit. Veliaj është kundërpërgjigjur duke akuzuar Ndroqin se po e shantazhonte. Veliaj ka pasur disa përplasje me gazetarët e Ora News.

Fakte kyçe

Formular i biznesit

Private; Shtetërore

Forma ligjore

Kompani me përgjegjësi të kufizuar

Sektorët biznesit

Transmetime radio-televizive

Pronësi

Pronar indvidual

mediat
Fakte

Biznesi i medias

Transmetime audio-vizive

Ora News (100%)

Informacion i përgjithshëm

Viti themelimit

2006

Interesat e lidhura me themeluesin

Ilda Prifti

Më 2006 Ilda Prifti, atëherë 18 vjeç, themeloi një kompani të quajtur Ora për të ndërtuar një televizion vendor me bazë në Tiranë me kapital themeltar 100,000 lekë (1.067 USD). Në dhjetor 2006, kapitali i kompanisë u rrit në 25 milionë lekë (266.794 USD) dhe televizioni u hap me formatin informativ 24 orësh pak para zgjedhjeve për pushtetin vendor të vitit 2007. Nuk ka interesa të tjera të njohura të lidhura me themeluesen. Ajo nuk rezulton e përfshirë në biznese të tjera pas këtij.

Punonjësit

Të dhënat mungojnë

Kontakt

Rruga Aleksander Moisiu, Ish-Kinostudioja "Shqiperia e Re", Tirana, Albania.

Email: info@oranews.tv

Tel: +355 42 34 7577

 

NIPT

Ora News LLC (K12412002L)

Të dhëna financiare

Të ardhura (të dhëna financiare/ opsionale)

0.46 Mln $/ 35 Mln.Lek

Fitimi operativ (në Mil. USD)

0.004 Mln $/ 0.32 Mln.Lek

Reklamat (si % të totalit të financimit)

Të dhënat mungojnë

Drejtuesit

Persona të tjerë me ndikim + Interesat e personave të tjerë me ndikim

Ylli Ndroqi

ish zotëruesi i 30 % të aksioneve të kompanisë Channel One tani Oranews. Ai u shfaq për herë të parë si biznesmen në Shqipëri, me regjistrimin në vitin 2003, të kompanisë Yldon sh.p.k, kapitali i të cilës u rrit në pak kohë. Në vitin 2007 Ndroqi u përfshi në media dhe bleu nga Ilda Prifti aksionet e Ora News (tani RTV Ora) për 25 milion lekë. Në vitin 2011 ai i transferoi bashkëshortes Mimoza Ndroqi 40% të aksioneve.
Në dhjetor 2010, Ylli Ndroqi bleu 100% të aksioneve të Teknotrade sh.p.k për 265,000 euro. Kompania u riemërua Channel One dhe sëfundmi Ora News. Aksionet e kësaj kompanie të dytë kanë ndryshuar disa herë duar mes Ndroqit dhe ortakut të tij Astrit Sejdini, i cili zotëron sëfundmi 70 % të aksioneve.
Ylli Ndroqi ka themeluar disa kompani të ndryshme. Bazuar në bilancet e publikuara në QKB, vitet 2013-2016 ishin vitet më të mira të biznesit për kompanitë e Ndroqit. Në vitin 2015, kompania kryesore në pronësi të tij në bashkëpunim me kompani të tjera nënshkruan një kontratë koncesionare për ndërtimin e një porti jahtesh në Durrës. Një projekt që nuk u zhvillua. Kompania Albania Bay Marina, e zotëruar 50% nga Ndroqi është pezulluar.
Në vitin 2020 Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, që nisi hetimet mbi pasurinë e Ndroqit mbështetur në ligjin antimafia, përmend si arsye arrestimin e tij në Turqi në vitin 1998 dhe një urdhër arresti nga Italia në vitin 2006. Ndroqi që në dokumentet e prokurorisë figuron edhe me emrin Xhemail Pasmaçiu, është përfshirë sipas SPAK në trafik narkotikësh dhe pasuria e tij nuk justifikohet me burime të ligjshme. Ligji antimafia kërkon që provat për pasurinë t’i japë personi i akuzuar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo në Apel i kanë gjetur të drejta pretendimet e akuzës.
Aksionet e kompanisë Ora, nën emrin e Ylli Ndroqit 60% dhe bashkëshortes së tij 40 %, u konfiskuan në prill 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, bazuar në ligjin antimafia.
Aksionet i kaluan në pronësi Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara në shtator 2023, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi një kërkes për pezullim vendimi të bërë nga Ndroqi dhe bashkëshortja.
Bashkë me aksionet e kompanisë që kontrollon RTV ORA, Ylli Ndroqit i janë konfiskuar edhe 30 për qind të aksioneve në televizionin simotër Ora News ish-Channel One. Po ashtu atij i janë konfiskuar aksionet në të gjitha kompanitë dhe një sërë pronash private.
Ylli Ndroqi dhe bashkëshortja kanë regjistruar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të konfiskimit.
Veç biznesit Ndroqi ishte për 6 vjet konsull nderi i Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, 2012-2018 dhe për një periudhë kohe edhe President e më pas President Nderi i shoqatës së konsujve të nderit në Shqipëri. Në vitin 2022 ai u sanksionua nga Departamenti i Shtetit i SHBA, për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Më shumë informacion

Meta Data

Ora News sëbashku me kanalin treleviziv RTV Ora, radion me të njëjtin emër dhe faqen web oranews.tv, kanë qenë deri në momentin e konfiskimit final në shtator 2023, pasi Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin Gjykatës së Posaçme të Apelit të Prillit 2023, pjesë e të njëjtës familje mediatike, të lidhur me familjen Ndroqi.
Struktura e pronësisë dhe raportet financiare janë të disponuara publikisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit të Shqipërisë. Të dhënat financiare i përkasin vitit 2022. Kursi mesatar i këmbimit i vitit 2022 i publikuar nga Banka e Shqipërisë është përdorur për konvertimin e shumave në USD. Shiko burimet për më shumë.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union
  • Funded by
    BMZ