Radio Tirana

Radio Tirana është radioja e parë në Shqipëri. Ajo u inaugurua nga Mbreti Zogu I më 28 nëntor 1938 dhe sipas historikut që gjendet në faqen online të radios, fjalët e para në trasmetim ishin “Ju flet Tirana”, që vijon të përdoret si slogan i stacionit.

Radio Tirana mburret me një arkivë të pasur zërash të njohur të muzikës shqiptare përfshi Marije Kraja, Tonin Guraziu, Tefta Tashko Koço, Merita Sakoli dhe po ashtu ka të ruajtur zërin e Aleksandër Moisiut dhe atë të Fan Stilian Nolit.

Drejtuesi i parë i Radios ishte Gjergj Bubani. Radioja fillimisht trasmetoi muzikë popullore. Bubani, që më herët kishte qenë pjesë e shtypit shqiptar në diasporë dhe përpjekjeve për krijimin e një shteti shqiptar, kundërshtoi pushtimin nga Italia fashiste. Në historikun e saj, radioja thotë se përmes saj u bënë thirrje për protesta masive. Bubani po ashtu kundërshtoi pretendimin italian për të ndryshuar programacionin e radios, megjithatë, ajo u përdor si mjet propagande nga pushtuesit fashistë dhe më pas nga ata nazistë.

Rimarrja e kontrollit të radios nga forcat partizane të Ushtrisë Nacional Çlirimtare që drejtohej nga komunistët më 17 nëntor 1944 u shënua si një datë historike dhe shkrimtari Ismail Kadare shkroi një roman me këtë subjekt. Komunistët arrestuan Gjergj Bubanin, i cili i shpëtoi pushkatimit vetëm prej dëshmive se kishte mbështetur Lëvizjen Çlirimtare. Bubani, sidoqoftë, u dënua me 15 vjet dhe punoi për 5 vjet punë të detyruar në tharjen e kenetës së Maliqit.

Pas marrjes nën kontroll, diktatura e përdori Radio Tiranën si mjet të propagandës së saj dhe ngjashëm përdori trasmetimet në disa gjuhë të huaja. Një përpjekje liberalizuese në vitet ‘70, kur drejtuesit e radios provuan të trasmetonin muzikë të huaj përfshi “Beatles”, u ndëshkua ashpër pas Festivalit të 11-të. Drejtues të radios, këngëtarë dhe kompozitorë u burgosën dhe familjet e tyre u internuan.

Pas viteve ‘90, radioja që tashmë ishte pjesë e RTSH-së pati të njëjtin fat si televizioni dhe u përdor politikisht nga partitë politike që drejtuan vendin, por meqë radioja nuk ishte mjet i rëndësishëm propagande, ajo nuk është parë si pjesë e interesit politik. Ndryshe nga televizioni, megjithë rënien e rëndësisë së mediumit për shkak të teknologjisë, Radio Tirana vijon të jetë një ndër radiot kryesore në vend. Transmetimet më të njohura dhe më të ndjekura të saj ishin dhe janë kryesisht ato zbavitëse, përfshi emisionin “Nga një ndeshje në tjetrën”, i cili mbijetoi për më shumë se 40 vjet. Radioja po ashtu realizon një sëri podcast-esh me intervista mbi aktualitetin, kryesisht nga gazetarët Pëllumb Troci e Andri Xhahu.

Radioja është tani pjesë e RTSH-së dhe drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe KDRTSH-ja, ngjashëm me televizionin. Ndryshimet e fundit strukturore me statutin e vitit 2016 e kanë shkrirë drejtimin e saj me atë të televizionit, ndërsa nuk ka më njësi të veçantë të drejtimit të saj. Financimi i radios bëhet nga publiku si pjesë e RTSH-së, ndërsa fondet për radion caktohen nga Drejtori i Përgjithshëm.

Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në vite kanë ngritur dyshime për keqmenaxhim të financave të RTSH-së. Abuzimet e dyshuara, megjithatë, nuk ishin ndëshkuar deri në vitin 2021, kur ish-drejtori Thoma Gëllçi dhe disa nëpunës u arrestuan me akuzat e shpërdorimit të detyrës nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK. Gëllçi dhe nëpunësit u gjetën fajtorë dhe ish-drejtori është dënuar me vendim të formës së prerë me 16 muaj burg për shpërdorim detyre.

Dyshimet për cilësinë e programacionit, efektshmërinë e një strukture me mbi 960 punonjës në radio dhe televizion dhe abuzimet janë ngritur se fundmi edhe nga anëtarë të KDRTSH-së. Kryetari Leka Bungo dhe anëtarë si Mevlan Shanaj kanë kritikuar hapur cilësinë e programeve duke vënë theksin kryesisht në mungesën e programacionit artistik dhe humbje të audiencës.

Gjatë raportimit vjetor në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, regjisori Mevlan Shanaj tha se RTSH-ja kishte braktisur publikun dhe askush, përfshi anëtarët e komisionit, nuk e ndiqte.

Në përgjigje të kërkesës për informacion për MOM, RTSH-ja tha se nuk kishte të dhëna për shikueshmërinë dhe as për dëgjuesit e radios.

Përmbajtja e RTSH-së rregullohet nga ligji dhe nënshtrohet mbikëqyrjes së Këshillit Drejtues të RTSH-së (KDRTSH), një organ kolegjial i zgjedhur nga parlamenti. Transmetuesi publik vepron në përputhje me statutin dhe rregulloret që japin udhëzime për përmbajtjen e tij. Gjithashtu, ka disa borde monitoruese të përmbajtjes të cilat synojnë të jenë përfaqësues të interesave të shoqërisë shqiptare.

Megjithatë, kritikat publike kryesisht kanë të bëjnë me menaxhimin e parave dhe cilësinë artistike. Anëtarët e KDRTSH-së pretendojnë se, politikisht, televizioni është i paanshëm, pavarësisht akuzave nga opozita rreth qëndrimeve të tij.

Fakte kyçe

Pjesa e audiencës

Tëdhënatmungojnë

Lloj pronësie

Publike

Mbulimi gjeografik

Kombëtar

Llloji përmbajtjes

Pa pagesë

Kompani/Grupe mediatike

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH)

Pronësi

Struktura e pronësisë

Radio Televizioni Shqiptarë (RTSH) është një institucion jofitimprurës, i regjistruar si institucion publik nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë

Të drejta votimi

Legjislacioni parashikon kontroll të parlamentit mbi institucionin përmes zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, ku shumica ka 6 anëtarë dhe opozita 5 të tillë. Por prej 4 vjetësh KDRTSH-ja nuk është plotësuar me numrin e plotë të anëtarëve, për shkak të ngërçeve politike. Edhe pse përzgjedhja nuk duhet të jetë politike, zgjedhjet e kaluara të drejtorit të ri të RTSH-së provuan se KDRTSH-ka ishte e ndarë në linja partiake. Dështimi për gati tre vjet për të zgjedhur një drejtor të ri, pasi ligji kërkonte shumicë të cilësuar të anëtarëve të KDRTSH-së, bëri që shumica të ndryshonte ligjin “Për mediat adiovizive” në vitin 2016, duke mundësuar zgjedhjen e drejtorit të ri, i cili u kontestua nga opozita. Ndryshe nga herët e tjera, votimi i fundit ishte unanim, të 8 anëtarët e pranishëm në mbledhje votuan për Alfred Pezën. Por KDRTSH-ja e tanishme, e cila ka 9 anëtarë nga 11, të zgjedhur në shumicën dërrmuese në vitet 2019, 2020, 2021 në një kohë kur parlamenti ishte braktisur nga opozita aktuale. Kjo e fundit pretendon se është e pa përfaqësuar në institucion.

Pronar indvidual

Kompani/Grupe mediatike
Fakte

Informacion i përgjithshëm

Viti themelimit

1938

Interesat e lidhur të themeluesit

Mbretëria Shqiptare

Radio Tirana u themelua nga Mbretëria Shqiptare. Programet e para ishin kryesisht muzikë popullore dhe disqet e gramafonit iu dhuruan radios nag qytetarë.

Interesat e lidhur të administratorit

Alfred Peza

U zgjodh Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar më 13 qershor 2023 me votim unanim të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, RTSH.
Ish-deputet dhe ish-sekretar i Marrëdhënieve me Median për Partinë Socialiste në pushtet, Peza po ashtu ka një karrierë të gjatë si gazetar dhe drejtues në media.
Pas studimeve në shkollën ushtarake të oficerëve, Peza ka kryer një shkollë të dytë për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Elbasanit.
Ai filloi si gazetar në mesin e viteve ‘90 në gazetën “Populli Po” dhe menjëherë më pas në gazetën “Koha Jonë” ku shërbeu edhe si kryeredaktor në vitin 1998. Peza ishte po ashtu kryeredaktor i parë i gazetës “Shekulli” në vitet 1999-2000 dhe më pas kryeredaktor i lajmeve në televizionin “Klan” menjëherë pas themelimit të tij. Nga viti 2001 ai drejtoi gazetën “Korrieri” dhe nga viti 2007 për tre vite ishte Drejtor i Përgjithshëm i “TV Ora News” dhe në vitet 2011- 2013 Drejtor Informacioni televizionin “Vizion +”.
Në vitin 2013 Peza u përfshi në politikë dhe u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në zonën e Peqinit. Pas përfundimit të mandatit ai nuk rikandidoi, por deri në shtator 2021 ai mbajti postin e sekretarit të Marrëdhënieve me Median për Partinë Socialiste.
Caktimi i Pezës si drejtor i RTSH-së është pritur me akuza nga opozita. Deputetja Ina Zhupa, njëkohësisht anëtare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvend, aludoi në një seancë dëgjimore me kryetarin e KDRTSH-së, Lenga Bungo, dhe anëtarin Mevlan Shanaj e drejtues të RTSH-së se Drejtori i Përgjithshëm mund të zgjidhej bazuar në ligjin “që i ndalon çdo anëtari partie, çdo ish-deputeti dhe çdo njeriu që merret me politikë për t’u zgjedhur në krye të Radiotelevizionit Shqiptar”.
Pas zgjedhjes së Pezës, Zhupa denoncoi publikisht në faqen e saj në Facebook se i ishte referuar kandidaturës së përfolur të Pezës. Ajo pretendoi se Peza u zgjodh në kundërshtim me ligjin. Kreu i KDRTSH-së pretendon se Peza i përmbushte kriteret ligjore.
Në akuzat e Zhupës për shkelje të ligjit ishte edhe lidhja e Pezës me portalin e lajmeve Alpenews. Portali filloi aktivitetin në vitin 2017 dhe u regjistrua si biznes në QKB në emër të Alfred Pezës në tetor 2018. Biznesi është çregjistruar si i tillë në një datë të mëvonshme të paqartë, megjithatë portali vijon të jetë aktiv dhe shkrimet e Pezës janë publikuar aty deri në janar 2023 në seksionin e Op-Ed të faqes.
Ky seksion është rezervuar vetëm për Pezën dhe shkrimet e tij, përmban kryesisht qëndrime pro shumicës dhe kritike ndaj opozitës dhe përfaqësuesve të saj. Shkrimet publikohen kryesisht nga një përdorues me pseudonimin “redaktor 1”.
Zgjedhja e Pezës u përcoll me shqetësim nga organizata të lirisë së medias, që kërkuan prej tij garanci për lirinë editoriale në RTSH. Por pak pas emërimit, Peza u akuzua se filloi një fushatë shkarkimesh dhe emërimesh të padrejta në televizion.
Ndërkohë, para se të merrte postin në RTSH, Peza ishte Drejtor i Mediave “Panorama” deri në dhjetor 2022. Ndryshe nga opinionet në favor të qeverisë në Alpenews, në këtë post Peza akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kolegët e tij deputetë socialistë për prishjen e resortit “Prestige” në pronësi të Irfan Hysenbelliut njëkohësisht zotërues i “Panorama”.
Gjatë mandatit si deputet, Peza u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për “Fshehje të të ardhurave”, “Pastrim të produkteve të veprës penale”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”. Akuzat u ngritën pasi bashkëshortja e Pezës bleu për 113 milionë lekë 1 për qind të aksioneve të bankës “Credins”.
Fillimisht dosja u dërgua në Gjykatën e Lartë, por për kompetencë u shqyrtua në Gjykatën e Tiranës, që e shpalli Pezën të pafajshëm, pasi më herët prokuroria u tërhoq nga shumica e akuzave duke e dërguar për gjykim për “mosdeklarim të pasurisë”. Gjykata e Lartë dhe ajo e Krimeve të Rënda refuzuan po ashtu edhe kërkesat e prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së tij.
Lidhur me këtë çështje për Pezën pati akuza edhe se e përdori portalin Alpenews, për të sulmuar ish-prokuroren e çështjes ndaj tij Rovena Gashi. Pjesë të kësaj përplasjeje përfunduan në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen që Gashi dhe bashkëshorti i saj, ish-prokurori Dritan Gina, ngritën kundër Shqipërisë, në një ankim lidhur me pezullimin e tyre nga Prokurori i Përgjithshëm. Por pretendimet e Gashit se artikujt kishin cënuar jetën e saj private e të ngjashme u rrëzuan nga gjykata.

Interesat e lidhur të kryeredaktorit

Vendi mbetet vakant sipas përgjigjes që RTSH i ktheu MOM.

Interesat e lidhura të njerëzve të rëndësishëm

Leka Bungo

Regjisor, aktor dhe skenarist u zgjodh në krye të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar në mars 2021.

Kontakt

Rruga Ismail Qemali № 11, Tirana

Tel: +355(4) 2223911

Website: www.rtsh.al

Të dhëna financiare

Të ardhura (in Mil. USD)

Të dhënat mungojnë

Fitim operativ (në Mil. USD)

Jofitimprurës

Reklamat (si % e financimit total)

Të dhënat mungojnë

Pjesa e tregut

Të dhënat mungojnë

Më shumë informacion

Meta Data

Struktura e pronësisë dhe bilancet financiare janë publikisht të pranishme në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri. Të dhënat financiare të siguruara i përkasin vitit 2022. Për të konvertuar shumat në dollarë u përdor kursi mesatar i këmbimit i Bankës Qendrore për vitin 2022. RTSH-ja iu përgjigj kërkesës për informacion të bërë nga ekipi i MOM në gusht 2023. RTSH-ja ka buxhetin më të madh krahasuar me mediat e tjera në vend, por kjo ka të bëjë me finacimin e tij përmes taksave. Nuk ka të dhëna finaciare veçmas për Radio Tiranën apo pjesë të tjera të RTSH-së. Për më shumë, shikoni burimet.

  • Project by
    BIRN ALBANIA
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union
  • Funded by
    BMZ